A kanë gratë shtatzëna ndonjë rrezik më të lartë për të zhvilluar forma të rënda të COVID-19?

Nuk ka të dhëna shkencore mbi ndjeshmërinë e grave shtatzëna ndaj virusit. Shtatzënia përfshin ndryshime në sistemin imunitar që mund të rrisin rrezikun e marrjes së infeksioneve virale të frymëmarrjes, përfshirë edhe ato nga Koronaviruset. Përveç kësaj, gratë shtatzëna mund të tregojnë një rrezik të rritur të zhvillimit të një forme të rëndë të infeksioneve virale të frymëmarrjes.

Gjithsesi, lidhur me transmetimin e COVID-19 edhe për gratë shtatzëna, rekomandohet të ndërmarrin veprime normale parandaluese për të zvogëluar rrezikun e infeksionit, siç është larja e duarve shpesh dhe shmangia e kontaktit me njerëzit e sëmurë.

Udhëzime për shtëpitë e kujdesit për të moshuarit, në kontekstin e Coronavirusit të ri (COVID-19)

Ky dokument jep udhëzime dhe këshilla për shtëpitë e kujdesit për të moshuarit në lidhje me koronavirusin e ri, ose COVID-19. Duke qenë se personat e moshuar në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit janë veçanërisht vulnerabël ndaj COVID-19, ka disa hapa që mund të ndërmerren për të reduktuar rrezikun, dhe për të siguruar që ata kujdesen dhe gjithashtu të mbështeten siç duhet. Personeli i shtëpisë së kujdesit për të moshuarit gjithashtu duhet të kujdeset dhe duhet të jetë i pajisur me informacionin e duhur për të mbrojtur veten, si dhe ata që janë nën kujdesin e tyre. Dokumenti përfshin informacione të vlefshmembi sjelljen personale, veprimet që duhet të ndërmerren brenda shtëpisë së kujdesit për të moshuarit, bashkëveprimin me mjedisin e jashtëm, përgjegjësitë e menaxhimit, organizimin dhe çfarë duhet të bëni nëse dikush është infektuar nga COVID-19.

Këto udhëzime janë përpiluar si rezultat i përvojës së fituar në Kinë, Kore dhe Japoni.

  1. Sjellja personale
  • Stafi, banorët e moshuar dhe të gjithë vizitorët në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit, përfshirë kontraktorët e pavarur, duhet të marrin masa paraprake për të mbrojtur veten dhe ata që janë në kujdesin e tyre nga kontaminimi me COVID-19. Këto masa paraprake përfshijnë:
  1. Larja e duarve me sapun dhe ujë për të paktën 20 sekonda;
  2. Përdorimi i solucioneve me bazë alkoolin për dezinfektimin e duarve;
  3. Teshtitja ose kollitja në një pecetë letre dhe hedhja e saj menjëherë, ose në zonën e brrylit dhe më pas larja e duarve;
  4. Mbajtja të paktën një metër distancë nga njëri-tjetri kur është e mundur.
  • Personeli në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit që kujdeset për banorët e moshuar, të cilët nuk janë në në gjendje të mirë shëndetësore, duhet të mbajë maska. Ata duhet të lajnë duart pasi të vendosin maskën, nëse prekin maskën ndërsa e vendosin atë si dhe pasi ta kenë hequr dhe hedhur maskën.
  • Personeli në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit duhet që t’ju kujtojë dhe ti ndihmojë të moshuarit të marrin këto masa paraprake.
  1. Brenda shtëpisë së kujdesit për të moshuarit
  • Personeli në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit, nuk duhet të paraqitet në punë nëse ata kanë simptoma, përfshirë ethet, kollën ose vështirësi në frymëmarrje. Kjo vlen për të gjithë anëtarët e stafit, që nga ofruesit e kujdesit të cilët kanë kontakt të drejtpërdrejtë me banorët e moshuar, nëpunësit e tjerë, personelin që merret me lëvizjet dhe transferimin e të moshuarve dhe vullnetarët;
  • Nëse është e mundur, personeli duhet të matë çdo ditë temperaturën e trupit të banorëve më të moshuar në mëngjes dhe mbrëmje;
  • Duhet të pastrohen dorezat e dyerve, parmaket, tabelat, karriget dhe sipërfaqet e tjera me dezinfektues rregullisht;
  • Stafi duhet të pastrojë rregullisht koshat e plehrave në të cilat hidhen pecetat e letrës;
  • Personeli i kujdesit në shtëpi duhet të jetë i vetëdijshëm për shëndetin mendor dhe mirëqenien e të moshuarve. Komunikimi i duhur dhe i ngrohtë personal mund të lehtësojë ankthin;
  • Banorët e moshuar dhe stafi duhet të ushqehen mirë;
  • Në shtëpinë e kujdesit për të moshuarit duhet të mbahen temperatura të ngrohta, dhe hapësirat duhet të ventilohen (ajrosen) rregullisht;
  • Stafi duhet të përpiqet të ruajë orarin normal dhe rutinën e përditshme të banorëve të moshuar;
  • Nëse është e mundur, personeli në shtëpinë e kujdesit për të moshuarit, duhet të organizojë ose të lehtësojë kontaktin e rregullt në internet midis banorëve të moshuar dhe anëtarëve të familjes dhe miqve të tyre (d.m.th përmes Skype, WhatsApp, etj.,). Kjo do të ndihmojë në lehtësimin e stresit dhe të izolimit;
  • Stafi me prani të simptomave të cilët nuk mund të punojnë, nuk duhet të përballet me ndonjë disavantazh që lidhet me punën ose penalitete të tilla siç janë: ulja e pagës ose humbja e vendit të tyre të punës.
  1. Ndërveprimi me mjedisin e jashtëm
  • Vendimet nëse vizitorët duhet të lejohen në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit, duhet të bazohen në këshillat e qeverisë ose autoriteteve të tjera përkatëse. Vizitat duhet të dekurajohen kur është e mundur;
  • Të gjithë vizitorët duhet të marrin në konsideratë çdo kontakt të mundshëm me të cilin mund të kenë pasur me personat e infektuar para se të marrin një vendim për të vizituar shtëpinë e kujdesit për të moshuar. Nëse ata mendojnë se mund të ketë ndodhur ky kontakt, atëherë ata nuk duhet të vizitojnë shtëpinë e kujdesit për të moshuarit;
  • Njerëzit nuk duhet të vizitojnë një shtëpi të kujdesit për të moshuar, nëse kanë simptoma, përfshirë ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje;
  • Personeli në shtëpinë e kujdesit për të moshuarit, duhet të pyesë të gjithë vizitorët nëse kanë simptoma para se të lejojnë ata për të hyrë në shtëpi;
  • Të gjithë vizitorët duhet të marrin masat bazë paraprake kur vizitojnë. Kjo përfshin larjen e duarve, teshtitjen ose kollitjen në një pecetë letre ose zonën e brrylit, mbajtjen e distancës një metër nga banorët dhe shmangien e kontaktit personal;
  • Në një situatë të shpërthimit epidemik ose situatë me rrezik të lartë, vizitat duhet të kufizohen vetëm në nevojën për shërbimin e urgjencës, për shembull, për profesionistët e shëndetësisë nëse personi rezident është i sëmurë;
  • Dorëzimi i materialeve duhet të kufizohet në një hyrje të vetme. Nëse një kontraktues ose shitës duhet të hyjë në shtëpinë e kujdesit për të moshuarit, stafi duhet të pyesë nëse ata kanë simptoma të tilla si ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje. Nëse është prezente ndonjë prej këtyre simptomave, ata nuk duhet të lejohen të hyjnë në shtëpinë e kujdesit për të moshuarit.
  1. Menaxhimi i përgjegjësive
  • Shtëpitë e kujdesit për të moshuarit, duhet të krijojnë lidhje me institucionet më të afërta shëndetësore të cilat mund të sigurojnë testimin dhe kujdesin ndaj COVID-19;
  • Shtëpitë e kujdesit për të moshuarit, duhet të diskutojnë me autoritetet shëndetësore dhe institucionin shëndetësor më të afërt, se si duhet të veprojnë nëse një banor shfaq simptoma të infeksionit;
  • Menaxherët e shtëpive të kujdesit për të moshuarit, duhet të rifreskojnë rregullisht edukimin bazë shëndetësor për stafin përkatës. Kjo duhet të përfshijë njohuritë mbi virusin dhe trainim mbi masat paraprake bazë. Posterat dhe materialet promocionale shëndetësore duhet të përdoren si kujtesë;
  • Menaxherët e shtëpive të kujdesit për të moshuarit, duhet të përgatisin dhe të menaxhojnë çështjet e parandalimit dhe të kontrollit të sëmundjes të tilla si termometra, maska, doreza, sapun, solucion me bazë alkooli për dezinfektimin e duarve dhe peceta letre;
  • Nevojat për mbështetje psikosociale dhe mirëqenien e stafit duhet të mbështeten përmes komunikimit të rregullt.
  1. Organizimi
  • Personeli i shtëpive të kujdesit për të moshuarit, duhet të mbajë kontakte të ngushta me institucionet përkatëse dhe administratën lokale ose autoritetet shëndetësore. Ata duhet t’u përgjigjen menjëherë ndryshimeve në situatën e tyre lokale ose të japin këshillat e duhura;
  • Personeli i shtëpive të kujdesit për të moshuarit, duhet t’i mbajë rregullisht të informuar familjet për situatën, përfshirë edhe masat e parandalimit. Kjo mund të realizohet me anë të thirrjeve telefonike, mesazheve me tekst dhe me e-mail.
  1. Nëse dikush dyshohet të jetë infektuar
  • Nëse një banor i moshuar ose një anëtar i stafit nuk ndjehet mirë dhe ka simptoma të infeksioni, ata duhet të izolohen nga banorët e tjerë në një dhomë të veçantë. Simptomat përfshijnë ethe me temperaturë 37.5 °C ose më shumë, kollë ose vështirësi në frymëmarrje;
  • Personeli në shtëpinë e kujdesit për të moshuarit, duhet të kontaktojë menjëherë autoritetet ose institucionet shëndetësore përkatëse dhe të zbatojë udhëzimet e tyre;
  • Cilido person i izoluar për shkak të infeksionit të dyshuar me COVID-19, duhet të mbajë maskë;
  • Cilido pjesëtar i personelit që kujdeset për dikë i që dyshohet se është infektuar nga COVID-19 duhet të përdorë maskë;
  • Dhoma ku dikush është i izoluar duhet të jetë në një zonë relativisht të veçantë, të mirë ventiluar (ajrosur). Ajo duhet të ketë një derë që mund të mbyllet dhe nëse është e mundur një tualet të pavarur nga të tjerët;
  • Nëse autoritetet shëndetësore kërkojnë që një person i moshuar të shkojë në një institucion të caktuar për testim ose për trajtim, personeli në shtëpinë e kujdesit për të moshuarit, duhet të ndjekë menjëherë udhëzimet e tyre. Transporti publik nuk duhet të përdoret. Personi i moshuar dhe personeli shoqërues duhet të mbajnë maskë;
  • Një banori të moshuar të izoluar, duhet t’i kushtohet kujdes cilësor dhe duhet të ofrohet mbështetje për të ruajtur shëndetin mendor dhe mirëqenien e tij;
  • Çdo banor i moshuar që ka patur kontakt me dikë që dihet ose që dyshohet se ka infeksion nga COVID-19, duhet të izolohet nga banorët e tjerë;
  • Pasi një banor i moshuar ose pjesëtar i personelit me simptoma të sëmundjes është transferuar në një institucion shëndetësor, personeli në shtëpinë e kujdesit për të moshuarit, duhet të pastrojë plotësisht dhe të dezinfektojë çdo zonë dhe sipërfaqe ku ka qenë personi;
  • Stafi duhet të ndahet – sa më shumë që të jetë e mundur – midis atyre që ofrojnë kujdes për banorët e moshuar që dyshohet se kanë infeksion nga COVID-19 ose që kanë qenë në kontakt me ata që janë infektuar nga COVID-19, dhe ata që ofrojnë kujdes për të moshuarit e tjerë;
  • Të moshuarit, simptomat e të cilëve nuk persistojnë më dhe që kthehen në institucion, duhet të vëzhgohen në një dhomë të veçantë për 14 ditë.

Ju lutemi mbani mend: COVID-19 është një sëmundje serioze, por ka gjëra që ne të gjithë mund të bëjnë për të mbrojtur veten dhe të tjerët. Marrja e masave të duhura paraprake është e rëndësishme, por nuk ka nevojë për panik.

COVID-19: Udhëzime dhe këshilla për të moshuarit
Si mund ta menaxhoj shëndetin tim

  • Njerëzit e moshuar si dhe ata me gjendje të tjera shëndetësore, veçanërisht me hipertension arterial, diabet dhe sëmundje të zemrës, ka shumë mundësi që të sëmuren në mënyrë serioze me COVID-19. Është shumë e rëndësishme që të kujdeseni për shëndetin tuaj të përgjithshëm, përfshirë edhe gjendjet e veçanta shëndetësore që tashmë ju keni;
  • Nëse keni ndonjë gjendje egzistuese shëndetësore, është veçanërisht e rëndësishme të bëni gjithçka që mundeni për të reduktuar rrezikun e marrjes së COVID-19, për shembull, larja e shpeshtë e duarve tuaja, shmangia e tubimeve të mëdha të njerëzve dhe duke qëndruar larg nga cilido që është i sëmurë.

Mjekimi

  • Është e rëndësishme që edhe nëse nuk ndjeheni mirë nga ana shëndetësore, vazhdoni të merrni mjekimet dhe ilaçet e tjera që ju janë dhënë nga një mjekët për sëmundjet ose problemet e tjera shëndetësore;
  • Sigurohuni që keni ilaçe të mjaftueshme, dhe nëse nuk ndjeheni mirë nga ana shëndetësore kërkojuni një miku, anëtari të familjes ose kujdestarit tuaj që të sigurojë ilaçe për ju.

Diabeti

  • Njerëzit me diabet janë në rrezik të rritur. Nëse keni diabet, vazhdoni të merrni çdo ilaç, monitoroni nga afër nivelin e sheqerit në gjak dhe kërkoni ndihmë mjekësore nëse keni ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje.

Astma

  • Njerëzit që vuajnë nga astma, duhet të vazhdojnë të përdorin inhalatorin (inhalatorët) e tyre si zakonisht;
  • Nëse mendoni se astma juaj po përkeqësohet ose keni ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, kërkoni ndihmë mjekësore.

Kanceri

  • Njerëzit e prekur nga kanceri janë në rrezik të rritur, veçanërisht ata me tumore malinje që ndikojnë drejpërdrejt në sistemin imunitar dhe njerëzit që janë nën efektin e një trajtimi, përfshirë kimioterapinë;
  • Nëse keni kancer është e rëndësishme të ndërmerrni hapat e përshkruar në mënyrë që të reduktoni rrezikun për të marrë COVID-19. Nëse nuk ndjeheni mirë dhe keni ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, kërkoni ndihmë mjekësore.

Nëse më nevojitet ndihmë apo suport nga të tjerët?

  • Nëse e keni të nevojshme të qëndroni në shtëpi, ose nëse jeni në shtëpi, kërkojuni miqve, familjarëve ose kujdestarit tuaj ndihmë dhe mbështetje. Ju dhe ata që ju ndihmojnë duhet të bëni atë që mundeni për të mbrojtur veten tuaj, siç u përshkrua më lart, përfshirë larjen e duarve;
  • Kërkojuni miqve, familjarëve ose kujdestarit tuaj ndihmë për:
  1. Marrjen e ilaçeve,
  2. Blerjen e ushqimeve,
  3. Punët e shtëpisë,
  4. Marrjen e informacionit mbi COVID-19,
  5. Marrjen e informacionit se ku dhe si të merrni ndihmë mjekësore,
  6. Vajtjen në një institucion shëndetësor.

 

  • Sigurohuni që miqtë, familjarët ose kujdestari juaj e dinë nëse nuk ndiheni mirë;
  • Kërkojuni miqve, familjarëve ose kujdestarit tuaj që të mos ju vizitojnë nëse nuk ndiheni mirë, nëse jeni veçanërisht me ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, deri sa të keni marrë këshillat e duhura mjekësore, dhe nëse nuk keni nevojë urgjente për ndihmën e tyre;
  • Kërkojuni miqve, familjarëve ose kujdestarit tuaj, që të mos ju vizitojnë nëse nuk ndjeheni mirë, nëse jeni veçanërisht me ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje.

Ku mund të shkoj për ndihmë mjekësore?

  • Aktualisht nuk ka asnjë vaksinë ose ilaç (medikament) për të kuruar COVID-19;
  • Ndihma mjekësore mund të ofrohet për të lehtësuar simptomat e COVID-19 nëse nuk jeni në gjendje të mirë shëndetësore. Shumica e njerëzve që janë prekur nga COVID-19 do të shërohen me anë të mbështetjes mjekësore;
  • Nëse nuk ndjeheni mirë, mos u frikësoni ose më keq, mos e fshihni gjendjen tuaj shëndetësore. Kërkoni ndihmë mjekësore;
  • Nëse sëmureni seriozisht nga COVID-19, do t’ju nevojitet trajtim i specializuar në spital;
  • Sigurohuni që ju dhe familja juaj, miqtë ose kujdestari juaj, të dini se ku duhet të drejtoheni për ndihmë mjekësore ose këshillim nëse nuk ndjeheni mirë për shkak të etheve, kollës ose vështirësisë në frymëmarrje. Vendi më i përshtatshëm për të kërkuar ndihmë do të varet nga ku ju jetoni dhe nga pajisjet dhe mjetet që janë në dispozicion. Orientimi dhe këshillimi lokal, mund të jetë që të mos shkoni menjëherë në institucionin tuaj më të afërt shëndetësor. Mundohuni t’i gjeni paraprakisht këto informacione, në mënyrë që të jeni të përgatitur dhe të dini se çfarë duhet të bëni, nëse nuk ndjeheni mirë nga ana shëndetësore.

 

 

Ju lutemi mbani mend: COVID-19 është një sëmundje serioze, por ka gjëra që ne të gjithë mund të bëjnë për të mbrojtur veten dhe të tjerët. Marrja e masave të duhura paraprake është e rëndësishme, por nuk ka nevojë për panik.

Koronavirusi (COVID-19): Si të bisedoni me fëmijët?

Fëmijët tuaj po dëgjojnë vazhdimisht për koronavirusin (COVID-19). Çdo prind dëshiron të sigurohet që fëmijët marrin informacion të besueshëm, por edhe shqetësohet për mënyrën se si të flasin me ta në këtë situatë. Ja disa këshilla:

Eksploroni se çfarë di tashmë fëmija juaj

Bëni pyetje të përshtatura për nivelin e moshës së fëmijës tuaj. Kjo ju jep mundësinë për të mësuar se sa di fëmija dhe për të zbuluar nëse ai ka informacione të gabuara.

Ndiqni ritmin e fëmijës tuaj.

Disa fëmijë mund të kenë nevojë të kalojnë më shumë kohën duke folur. Nëse fëmija juaj nuk duket i interesuar ose nuk bën shumë pyetje, mos e detyroni të flasë.

Ofrojini fëmijës rehati dhe sinqeritet

Ndihmoni fëmijën tuaj të ndjehet i sigurt, por, në të njëjtën kohë, tregojini të vërtetën. Mos ofroni më shumë detaje nga sa shfaq interes fëmija juaj.

Nëse fëmija juaj pyet për diçka dhe ju nuk e dini përgjigjen, pranojeni këtë. Përdorni pyetjen si një mundësi për ta zbuluar së bashku. Kontrolloni faqet në internet të institucioneve zyrtare të shëndetit për informacion të përditësuar në lidhje me koronavirusin (COVID-19).

Flisni me qetësi dhe siguri

Shpjegoni se shumica e njerëzve që sëmuren ndjehen sikur kanë të ftohtë ose grip. Fëmijët e kuptojnë shqetësmin e prindërve. Prandaj, kur flisni për koronavirusin dhe lajmet, mundohuni të keni një zë të qetë dhe përpiquni të mos dukeni të mërzitur.

Jepini fëmijës mundësinë të flasin për frikën e tyre

Është e natyrshme që fëmijët të shqetësohen dhe të pyesin: “A mund të më ndodhë mua?” Informojeni fëmijën tuaj se, me sa duket, fëmijët e marrin këtë virus më pak dhe e kalojnë më lehtë se sa të rriturit. Jepuni të kuptojnë se gjithmonë mund të vijnë tek ju për të pyetur apo për të folur për gjithçka që i frikëson.

Kujdesuni të kuptoni se kur kanë nevojë për udhëzime

Monitoroni lajmet dhe informacionet që marrin fëmijët, veçanërisht fëmijët më të rritur që kanë akses në internet. Drejtojini ata në lajme me përmbajtje të përshtatshme për moshën, në mënyrë që të shmangni sa është e mundur informacione të pasakta apo që i frikësojnë.

Ndihmoni fëmijën të ketë kontroll

Mësojini fëmijës tuaj sjellje specifike që mund t’i bëjë për të patur kontroll. Mësojini rregullat e higjienës. Shpjegojini se larja e rregullt e duarve është shumë e rëndësishme për parandalimin e përhapjes së viruseve. Bëhuni një model i mirë për ta dhe lejojeni sa më shpesh t’ju shohë duke larë duart.

Flisni për masat që po merren për t’i mbajtur njerëzit të sigurt dhe të shëndetshëm.

Fëmijët duhet të dinë se spitalet dhe mjekët janë të përgatitur për të trajtuar njerëzit që sëmuren. Fëmijët më të rritur mund të ngushëllohen me faktin se shkencëtarët po punojnë për të zbuluar një vaksinë. Këto biseda i përgatisin fëmijët edhe për ndryshimet në rutinën e tyre normale.

Shpjegojini lajmet dhe informacionet.

Nëse fëmija pyet, shpjegojini se vdekja nga virusi ndodh në një numër të vogël rastesh të infektuar. Shikoni lajmet së bashku me fëmijën, në mënyrë që të filtroni dhe të shpjegoni ato që dëgjon.

Kujdesuni për shqetësimin e fëmijëve për familjarët

Për shembull: nëse fëmija juaj dëgjon se të moshuarit kanë më shumë të ngjarë të sëmuren rëndë, ai mund të shqetësohet për gjyshërit. Lejojeni të flasë në telefon apo video-thirrje me të afërmit e moshuar, pasi kjo mund ta ndihmojë të ndjehet i sigurt për të dashurit.

Bëjani të qartë fëmijës suaj se është normale të ndjesh stres ndonjëherë

Të gjithëve u ndodh. Njohja e këtyre ndjenjave dhe të diturit që kohërat e vështira kalojnë  dhe jeta kthehet në normalitet, mund t’i ndihmojë fëmijët të krijojnë qëndrueshmëri.

Konsiderojeni një bisedë në vazhdim

Vazhdoni të kujdeseni për të mbajtur nën kontroll situatën, së bashku me fëmijët tuaj. Flisni me ta për koronavirusin si një mënyrë për t’i ndihmuar të mësojnë për trupat e tyre, për mënyrën se si sistemi imunitar lufton sëmundjet apo gjëra të ngjashme.

Flisni shpesh për ngjarjet aktuale me fëmijën tuaj.

Është e rëndësishme ta ndihmoni atë të mendojë përmes informacioneve që dëgjon. Bëjini pyetje: “Si mendon se ndodhin këto gjëra?” Pyetje të tilla inkurajojnë bisedën për tema aktuale dhe shqetësuese për të.