Këshilla për shkollën
Këshilla për punonjësit shëndetësorë
Këshilla për kujdestarët e fëmijëve
Higjiena në punë

Përgatitja e vendit tuaj të punës për COVID-19

Në janar të vitit 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli shpërthimin e një sëmundjeje të re të koronavirusit në Provincën Hubei, Kinë, si një Urgjencë e Shëndetit Publik dhe Shqetësim Ndërkombëtar. OBSH-ja deklaroi se ekziston një rrezik i lartë i sëmundjes së koronavirusit (COVID-19) që mund të përhapet në vendet e tjera të botës.

OBSH-ja dhe autoritetet e shëndetit publik në të gjithë botën po ndërmarrin veprime për të kontrolluar shpërthimin e COVID-19. Sidoqoftë, akoma aktualisht suksesi afatgjatë i këtyre masave nuk mund të merret si i mirëqenë. Të gjitha elementet e shoqërisë sonë – përfshirë bizneset dhe punëdhënësit – duhet të luajnë një rol të rëndësishëm nëse duam të ndalojmë përhapjen e kësaj sëmundje.

Si përhapet COVID-19

Kur dikush ka kollë si pasojë e COVID-19, ai shpërndan spërkla të infektuara. Shumica e këtyre spërklave bien në sipërfaqet dhe objektet afër – të tilla si: tavolina e kompjuterit, tavolina e punës ose telefona. Njerëzit mund ta marrin infeksionin nga COVID-19 duke prekur sipërfaqet ose objektet e ndotura – dhe më pas duke prekur sytë, hundën ose gojën. Nëse qëndrojnë më afër se një metër nga një person i infektuar me COVID-19, ata mund ta marrin infeksionin me anë të frymëmarrjes, nga spërklat e kollës të nxjerra prej tyre. Pra, COVID-19 përhapet në një mënyrë shumë të ngjashme me gripin. Shumica e personave të infektuar me COVID-19 përjetojnë simptoma të lehta dhe shërohen vetë. Sidoqoftë, disa vazhdojnë të përjetojnë sëmundjen më rëndë dhe mund të kërkojnë kujdes spitalor. Rrezikshmëria e sëmundjes rritet me moshën: njerëzit mbi 40 vjeç duket se janë më të prekshëm se ata nën 40 vjeç. Njerëzit me sistem imunitar të dobësuar dhe ata që vuajnë nga diabeti, sëmundjet e zemrës dhe mushkërive janë gjithashtu më të prekshëm ndaj komplikacioneve të rënda të COVID-19.

Mënyrat e thjeshta për të parandaluar përhapjen e COVID-19 në vendin tuaj të punës

Masat me kosto të ulët të paraqitura më poshtë do të ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së infeksioneve, të tilla si: ftohja, gripi dhe problemet gastrike në vendin e punës, si edhe të mbroni klientët, kontraktorët dhe punonjësit tuaj.

Punëdhënësit duhet të fillojnë t’i praktikojnë këto masa tani, edhe nëse COVID-19 nuk ka arritur në komunitetet ku ushtrojnë aktivitetin e tyre. Ata tanimë, mund të reduktojnë ditët e humbura të punës për shkak të sëmundjes dhe të ndalojnë ose ngadalësojnë përhapjen e COVID-19, nëse shfaqen raste në mjediset që disponojnë.

  1. Sigurohuni që vendet e punës të jenë të pastra dhe të higjienizuara.
  • Sipërfaqet (p.sh. tavolinat e kompjuterave, tavolinat e punës) dhe objektet (p.sh. telefona, tastiera) duhet të pastrohen rregullisht me dezinfektues.
  • Pse? Për shkak se ndotja në sipërfaqet e përdorura nga punonjësit dhe klientët, është një nga mënyrat kryesore të përhapjes së COVID-19.
  1. Promovoni larjen e rregullt të duarve nga punonjësit, kontraktorët dhe klientët.
  • Vendosni solucionet pastruese dhe sterilizuese të duarve në vendet e dukshme rreth vendit të punës. Sigurohuni që këto pajisje të rimbushen rregullisht.
  • Afishoni postera promocionalë mbi larjen e duarve – kërkojani këto autoriteteve tuaja lokale të shëndetit publik ose shikoni në adresën e internetit WHO.int.
  • Kombinoni këto veprime me masa të tjera të komunikimit, siç janë: ofrimi i udhëzimeve nga profesionistët e shëndetit dhe të sigurisë në punë, njoftime të ngjashme gjatë takimeve dhe informacion mbi rëndësinë e promovimit për larjen e shpeshtë të duarve.
  • Sigurohuni që stafi, bashkëpunëtorët dhe klientët të kenë qasje në vendet ku ata mund të lajnë duart me sapun dhe ujë të rrjedhshëm.
  • Pse? Sepse larja asgjëson virusin nga duart tuaja dhe parandalon përhapjen e COVID19.
  1. Promovoni higjienë të mirë respiratore (të frymëmarrjes) në vendin e punës.
  • Afishoni postera që promovojnë higjienën respiratore (të frymëmarrjes). Kombinojeni këtë me masa të tjera, siç janë: ofrimi i udhëzimeve nga profesionistët e shëndetit dhe sigurisë në punë, njoftime gjatë takimeve, informacione në internet etj.
  • Sigurohuni që maskat e fytyrës dhe kartëpecetat higjienizuese të jenë të disponueshme në vendet tuaja të punës, sidomos për ata që janë prekur nga rrufa ose kolla, dhe të gjitha së bashku të sigurohen në koshat e mbyllur higjienizues.
  • Pse? Për shkak se higjiena e mirë e frymëmarrjes parandalon përhapjen e COVID-19.
  1. Këshilloni punonjësit dhe bashkëpunëtorët që të konsultohen përpara se të udhëtojnë për qëllime biznesi.
  1. Informoni punonjësit, bashkëpunëtorët dhe klientët tuaj që nëse COVID-19 fillon të përhapet në komunitetin tuaj, cilido qoftë me kollë të lehtë ose me temperaturë subfebrile (37.3 C ose më shumë), duhet të qëndrojë në shtëpi. Gjithashtu ata duhet të qëndrojnë në shtëpi (ose të punojnë nga shtëpia) nëse kanë nevojë për mjekim të thjeshtë, siç janë: paracetamoli, ibuprofeni, aspirina; të cilat mund të maskojnë (fshehin) simptomat e infeksionit nga COVID-19.
  • Vazhdoni komunikimin dhe promovoni mesazhin se “njerëzit duhet të qëndrojnë në shtëpi”, edhe nëse ata kanë vetëm simptoma të lehta të COVID-19.
  • Paraqisni postera me këtë mesazh në vendet e punës. Kombinoni këtë me mjete të tjera të komunikimit, që zakonisht përdoren në organizatën ose biznesin tuaj.
  • Shërbimet profesionale të shëndetit në punë, autoriteti lokal i shëndetit publik ose partnerët e tjerë mund të kenë paraqitur fushatë promocionale mbi këtë mesazh të rëndësishëm.

Elementët kryesorë që duhen marrë parasysh kur udhëtoni ju dhe punonjësit tuaj.

  1. Përpara se të udhëtoni
  • Sigurohuni që kompania dhe punonjësit tuaj të kenë informacionin më të fundit për zonat ku COVID-19 po përhapet. Këtë informacion mund ta gjeni në https://www.Who.int/emergencies/diseases/novel-coronavirus-2019/situation-reports/
  • Bazuar në informacionet më të fundit, kompania juaj duhet të vlerësojë përfitimet dhe rreziqet që lidhen me planet e ardhshme të udhëtimit.
  • Shmangni udhëtimet e punonjësve që mund të jenë më të rrezikuar nga sëmundjet kronike (p.sh. të moshuarit, apo ata që vuajnë nga diabeti, zemra dhe mushkëritë) në zonat ku COVID-19 po përhapet.
  • Sigurohuni që të gjithë personat që udhëtojnë në vendet që kanë raportuar të prekur nga COVID-19, të jenë të informuar nga një profesionist i kualifikuar (p.sh. shërbimet shëndetësore në punë, profesionistët e kujdesit shëndetësor ose institucionet lokale të shëndetit publik).
  • Konsiderojeni një mjet të rëndësishëm parandalimi pajisjen me shishe të vogla (nën 100 CL) me produkte me bazë alkooli, përfshirë edhe pecetat e lagura, si dhe këshillimin për punonjësit që do të udhëtojnë. Kjo mund të lehtësojë larjen e rregullt të duarve.

Kur ju ose punonjësit tuaj ktheheni nga udhëtimi:

  • Punonjësit që janë kthyer nga një zonë ku është përhapur COVID-19, duhet të vetëkëqyren për simptomat e lidhura me të për 14 ditë, si edhe për të temperaturën e tyre trupore dy herë në ditë.
  • Nëse zhvillojnë qoftë edhe një kollë ose ethe të shkallës të lehtë (d.m.th. një temperaturë prej 37.3 C ose më shumë) ata duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe të vetizolohen. Kjo do të thotë që të shmanget kontakti i ngushtë (një metër ose më afër) me njerëzit e tjerë, përfshirë anëtarët e familjes. Ata gjithashtu, duhet të telefonojnë ofruesin përkatës të kujdesit shëndetësor ose institucionet lokale të shëndetit publik, duke u dhënë detaje për udhëtimin dhe simptomat e tyre të fundit.

Përgatitja e biznesit tuaj në rast se COVID-19 arrin në komunitetin tuaj

  • Hartoni një plan lidhur me çfarë masash duhet të ndërmerrni nëse dikush dyshohet si i sëmurë me COVID-19 në kompaninë tuaj.
  • Ky plan duhet të përfshijë izolimin e personit të sëmurë në një dhomë ose zonë ku ata nuk kanë kontakt me të tjerët në vendin e punës – duke kontaktuar institucionet lokale shëndetësore.
  • Planifikoni se si të identifikoni personat që mund të jenë në rrezik dhe t’i mbështesni ata, pa stigmë dhe diskriminim në vendin e punës. Kjo mund të përfshijë persona që kanë udhëtuar kohët e fundit në një zonë ku janë raportuar raste, ose personel tjetër që janë më të ekspozuar ndaj komplikacioneve të COVID-19 (p.sh. më të moshuarit, diabetikët, ata me sëmundjet e zemrës dhe mushkërive).
  • Informoni institucionet lokale shëndetësore mbi planin që keni hartuar dhe kërkoni mbështetjen e tyre.
  • Promovoni komunikimin e rregullt me anë mjeteve elektronike të telekomunikacionit në të gjithë kompaninë tuaj. Nëse ka një shpërthim të COVID-19 në komunitetin tuaj të punës, autoritetet shëndetësore mund t’i këshillojnë njerëzit të shmangin transportin publik dhe vendet e populluara. Detyrat e lëna prej këtij shërbimi do të ndihmojnë kompaninë të vazhdojë të mirëfunksionojë dhe punonjësit tuaj të ndjehen të sigurt.
  1. Hartoni një plan vazhdimësie dhe sigurie për kompaninë për një shpërthim në komunitetet ku operon biznesi juaj.
  • Plani do të ndihmojë në përgatitjen e kompanisë që zotëroni për mundësinë e përhapjes të COVID19 në komunitetin e saj. Mund të jetë i vlefshëm edhe për urgjencat e tjera shëndetësore.
  • Plani duhet të ndihmojë në mbarëvajtjen e punëve në biznesin tuaj, edhe nëse një numër i konsiderueshëm i punonjësve, bashkëpunëorëve nuk mund të jenë të pranishëm në vendin e punës – qoftë për shkak të kufizimeve të udhëtimit ose sepse janë të sëmurë.
  • Komunikoni me punonjësit dhe bashkëpunëtorët tuaj dhe sigurohuni që ata janë të vetëdijshëm për atë që duhet të bëjnë ose jo, sipas planit. Theksoni pikat kryesore: rëndësia e mosardhjes në punë edhe nëse ata kanë vetëm simptoma të lehta ose u është dashur të përdorin mjekime të thjeshta (paracetamol, ibuprofen),  të cilat mund të maskojnë (fshehin) simptomat.
  • Sigurohuni që plani juaj adreson çështjet e shëndetit mendor dhe pasojat sociale të një rasti të prekur nga COVID-19 në vendin e punës ose në komunitet dhe të ofrojë informacionin dhe mbështetjen e duhur, përkatëse.
  • Për bizneset e vogla dhe të mesme pa personel shëndetësor të dedikuar, zhvilloni partneritete dhe plane me ofruesit tuaj të shërbimit të kujdesit shëndetësor lokal dhe paraprini çdo emergjencë.
  • Institucioni shëndetësor lokal apo kombëtar mund të ofrojë mbështetje dhe udhëzime përkatëse në zhvillimin e planit tuaj.
  1. Mbani mend:
  • Tani është koha për t’u përgatitur për COVID-19. Masat e thjeshta paraprake dhe planifikimi i duhur mund të bëjnë një ndryshim të madh. Veprimi në kohën e duhur do të ndihmojë në mbrojtjen e punonjësve dhe biznesit tuaj.

Këshilla për dhuruesit e gjakut
Mbroni të dashurit tuaj
Mite dhe fakte
Koronavirusi (COVID-19): Si të bisedoni me fëmijët?

Fëmijët tuaj po dëgjojnë vazhdimisht për koronavirusin (COVID-19). Çdo prind dëshiron të sigurohet që fëmijët marrin informacion të besueshëm, por edhe shqetësohet për mënyrën se si të flasin me ta në këtë situatë. Ja disa këshilla:

Eksploroni se çfarë di tashmë fëmija juaj

Bëni pyetje të përshtatura për nivelin e moshës së fëmijës tuaj. Kjo ju jep mundësinë për të mësuar se sa di fëmija dhe për të zbuluar nëse ai ka informacione të gabuara.

Ndiqni ritmin e fëmijës tuaj.

Disa fëmijë mund të kenë nevojë të kalojnë më shumë kohën duke folur. Nëse fëmija juaj nuk duket i interesuar ose nuk bën shumë pyetje, mos e detyroni të flasë.

Ofrojini fëmijës rehati dhe sinqeritet

Ndihmoni fëmijën tuaj të ndjehet i sigurt, por, në të njëjtën kohë, tregojini të vërtetën. Mos ofroni më shumë detaje nga sa shfaq interes fëmija juaj.

Nëse fëmija juaj pyet për diçka dhe ju nuk e dini përgjigjen, pranojeni këtë. Përdorni pyetjen si një mundësi për ta zbuluar së bashku. Kontrolloni faqet në internet të institucioneve zyrtare të shëndetit për informacion të përditësuar në lidhje me koronavirusin (COVID-19).

Flisni me qetësi dhe siguri

Shpjegoni se shumica e njerëzve që sëmuren ndjehen sikur kanë të ftohtë ose grip. Fëmijët e kuptojnë shqetësmin e prindërve. Prandaj, kur flisni për koronavirusin dhe lajmet, mundohuni të keni një zë të qetë dhe përpiquni të mos dukeni të mërzitur.

Jepini fëmijës mundësinë të flasin për frikën e tyre

Është e natyrshme që fëmijët të shqetësohen dhe të pyesin: “A mund të më ndodhë mua?” Informojeni fëmijën tuaj se, me sa duket, fëmijët e marrin këtë virus më pak dhe e kalojnë më lehtë se sa të rriturit. Jepuni të kuptojnë se gjithmonë mund të vijnë tek ju për të pyetur apo për të folur për gjithçka që i frikëson.

Kujdesuni të kuptoni se kur kanë nevojë për udhëzime

Monitoroni lajmet dhe informacionet që marrin fëmijët, veçanërisht fëmijët më të rritur që kanë akses në internet. Drejtojini ata në lajme me përmbajtje të përshtatshme për moshën, në mënyrë që të shmangni sa është e mundur informacione të pasakta apo që i frikësojnë.

Ndihmoni fëmijën të ketë kontroll

Mësojini fëmijës tuaj sjellje specifike që mund t’i bëjë për të patur kontroll. Mësojini rregullat e higjienës. Shpjegojini se larja e rregullt e duarve është shumë e rëndësishme për parandalimin e përhapjes së viruseve. Bëhuni një model i mirë për ta dhe lejojeni sa më shpesh t’ju shohë duke larë duart.

Flisni për masat që po merren për t’i mbajtur njerëzit të sigurt dhe të shëndetshëm.

Fëmijët duhet të dinë se spitalet dhe mjekët janë të përgatitur për të trajtuar njerëzit që sëmuren. Fëmijët më të rritur mund të ngushëllohen me faktin se shkencëtarët po punojnë për të zbuluar një vaksinë. Këto biseda i përgatisin fëmijët edhe për ndryshimet në rutinën e tyre normale.

Shpjegojini lajmet dhe informacionet.

Nëse fëmija pyet, shpjegojini se vdekja nga virusi ndodh në një numër të vogël rastesh të infektuar. Shikoni lajmet së bashku me fëmijën, në mënyrë që të filtroni dhe të shpjegoni ato që dëgjon.

Kujdesuni për shqetësimin e fëmijëve për familjarët

Për shembull: nëse fëmija juaj dëgjon se të moshuarit kanë më shumë të ngjarë të sëmuren rëndë, ai mund të shqetësohet për gjyshërit. Lejojeni të flasë në telefon apo video-thirrje me të afërmit e moshuar, pasi kjo mund ta ndihmojë të ndjehet i sigurt për të dashurit.

Bëjani të qartë fëmijës suaj se është normale të ndjesh stres ndonjëherë

Të gjithëve u ndodh. Njohja e këtyre ndjenjave dhe të diturit që kohërat e vështira kalojnë  dhe jeta kthehet në normalitet, mund t’i ndihmojë fëmijët të krijojnë qëndrueshmëri.

Konsiderojeni një bisedë në vazhdim

Vazhdoni të kujdeseni për të mbajtur nën kontroll situatën, së bashku me fëmijët tuaj. Flisni me ta për koronavirusin si një mënyrë për t’i ndihmuar të mësojnë për trupat e tyre, për mënyrën se si sistemi imunitar lufton sëmundjet apo gjëra të ngjashme.

Flisni shpesh për ngjarjet aktuale me fëmijën tuaj.

Është e rëndësishme ta ndihmoni atë të mendojë përmes informacioneve që dëgjon. Bëjini pyetje: “Si mendon se ndodhin këto gjëra?” Pyetje të tilla inkurajojnë bisedën për tema aktuale dhe shqetësuese për të.

Rekomandime si të mbrohemi nga COVID19
Mbroni veten dhe të tjerët