COVID-19/ Manastirliu: 2268 mjekë, infermierë e studentë i janë përgjigjur thirrjes

Dua ta nis këtë komunikim me ju, me një lajm frymëzues. 2268 mjekë, infermierë, farmacistë, ekspertë të shëndetit publik, studentë të mjekësisë i janë përgjigjur thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për t’ju bashkuar frontit të luftës kundër COVID-it.

Kam një falënderim nga zemra për Prof. Dhimitër Krajën, ish shef i Shërbimit Infektiv në QSUT, dr. Sokol Agolli, mjek anestezist reanimator, dr. Mihal Kërci, mjek anestezist reanimator, dr. Roland Xhaxho, mjek anestezist reanimator, të cilët së bashku me inxhinierët mjekësorë Pirro Kushi dhe Aziz Toska ju përgjigjën menjëherë thirrjes dhe sot janë duke ofruar shërbimin e tyre të vyer në përballje me koronavirusin e ri.

Në pamundësi për t’i përmendur të gjithë, dua të falënderoj nga zemra, secilin prej tyre që po i japin një dorë sistemit shëndetësor në këto momente, në përballjen e vështirë me COVID-19.

Jemi duke punuar në çdo sekondë, për të koordinuar përfshirjen dhe angazhimin e tyre në mbështetje të kolegëve që prej kohësh tashmë janë në gatishmëri maksimale, në këtë emergjencë mjekësore në të cilën ndodhemi.

Ndaj kam angazhuar dhe kam caktuar Dr. Krenar Lilën, mjek reanimator në QSUT, si koordinator përgjegjës për organizimin e punës së shërbimit të anestezi- reanimacion në të gjithë strukturat spitalore shëndetësore, të cilat do të trajtojnë personat me infeksionin e shkaktuar nga COVID-19.

Kam caktuar prof. Arben Gjatën koordinator përgjegjës për organizimin dhe administrimin e burimeve njerëzore në shkallë vendi, atyre ekzistuese dhe të gjithë vullnetarëve të cilët kanë shprehur vullnetin për të kontribuar në këto momente, jo vetëm për t’u angazhuar në hartëzimin e të gjithë burimeve njerëzore apo tyre vullnetare, por, gjithashtu për të kryer një seri trajnimesh shumë të nevojshme në aspektet e përballimit të infeksionit COVID-2019

Por nga na tjetër dua të ndaj me Ju edhe dy konsiderata të tjera.

Kam një thirrje për të gjithë Ju, për të gjithë Ju qytetarë:

Ju lutem, ju lutem, ju lutem. Le të bëhemi të gjithë bashkë pjesë e zgjidhjes. Ndani me stafet mjekësore, çdo informacion në lidhje me lëvizjet apo kontaktet që ju keni patur. Kjo është thelbësore për të mbrojtur stafet tona mjekësore. Kështu Ju u’a lehtësoni punën atyre dhe jo vetëm stafeve mjekësore në spitale por edhe shumë epidemiologëve, infermierëve, mjekëve të cilët në këto orë janë duke punuar me vetëmohim në shërbimin tuaj.

Dhe në fund dua të shpreh një falënderim të përzemërt:

Mirënjohje pa kufi, veçanërisht për mjekët dhe infermierët e Shërbimit të Infektivit në Spitalin “Nënë Tereza”, ato në Spitalin “Shefqet Ndroqi”, pra gjithë mjekët dhe infermierët në këtë spital, Urgjencën Kombëtare, ekspertët Institutit të Shëndetit Publik, laborantët, farmacistët që po punojnë pa u ndalur në të gjithë sistemin shëndetësor dhe gjithashtu atë jo publik, punonjësit e shërbimit në të gjithë spitalet e vendit dhe gjithashtu në qendrat shëndetësore. Jeni duke bërë një punë të jashtëzakonshme! Forca, Forca, Forca! Së bashku do t’ia dalim!